Dhoma Shqiptare e Tregtisë Ndërkombëtare dhe Zhvillimit (ACITAD) organizoi në Tiranë “Takimin Mbarëkombëtar të Biznesit”, ku kanë marrë pjesë biznese nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi.
180 bizneset e ardhura nga këto shtet fqinje, dhe 200 biznese nga Shqipëria kanë zhvilluar takime dypalëshe me bizneset shqiptare me qëllim gjetjen e mundësive të reja të bashkëpunimit mes tyre.
Zv.kryeministri Niko Peleshi, në fjalimin e tij është shprehur se qeveria shqiptare, është e gatshme të bashkojë përpjekjet me biznesin për më shumë bashkëpunim rajonal, shkëmbime tregtare të lira dhe konkurrencë të ndershme, në një treg gjithnjë e më formal ndërsa e ka konsideruar “Takimin Mbarëkombëtar të Biznesit 2″ si njjë takim midis shumë bizneseve nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia për një bashkëpunim midis sipërmarrësish që ndërtojnë, prodhojnë, punësojnë e investojnë.
Ndërkohë, Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi ka deklaruar se për të mbetet një sfidë që të ndryshojë raportin mes punonjësve aktivë dhe atyre pasivë në vendin tonë.

“Ne duhet ta nxjerrim Shqipërinë nga harta e vendeve që ofron vetëm punë të lirë. Ne duhet ta fusim Shqipërinë në hartën e vendeve që formon dhe ofron punonjës të kualifikuar.

Kjo është detyra jonë e madhe, të ndryshojmë kryekëput raportin e tregut tonë të punës. Dhe ne mendojmë se ka një zgjidhje dhe ky është arsimi profesional”, ka deklaruar Klosi.

“Tashmë kemi gati një ligj shumë të fortë, që ka të bëjë me reduktimin e dembelizmit në Shqipëri. Ne duhet të gjejmë një raport të drejtë për ata që duan të punojnë dhe të jetojnë me punë të denjë me ata që duan të jetojnë duke marrë ndihmën ekonomike apo asistencën sociale.

Nuk mund të vazhdojmë të sponsorizojmë në pafundësi dembelizmin në Shqipëri”, tha më tej ai.

Ai ka shtuar më tej se paralelisht me refomën ligjore në sistemin e punësimit në vend, MSR po punon që brënda këtij viti të krijohet një rrjet i shkollave profesionale të ekselencës, të cilat të kenë mundësi të prodhojnë profesionistë që mund të akreditohen nga sistemi i shkollave profesionale të BE-së.

Gjatë eventit, ACITAD akordoi çmimet e mëposhtme për anëtaret dhe miqtë përfaqësues të bizneseve nga trevat shqiptare jashtë kufijve:

– Çmimi “Gruaja sipërmarrëse” – znj. Valbona Begolli – Albpastrim
– Çmimi “Përgjegjësia sociale” – z. Vullnet Haka – Everest IE
– Çmimi “Investitori i huaj” – z. Saimir Huta – Maccaferri Balkans
– Çmim nderi si përfaqësues i biznesit shqiptar në Kosovë – z. AlajdinFusha – ABI
– Çmim nderi si përfaqësues i biznesit shqiptar në Maqedoni – z. Menderes Kuci – Arb-Komerc
– Çmim nderi si përfaqesues i biznesit shqiptar në Malin e Zi – z. Nazif Cungu – Cungu & Co.

Në këtë event përveç zv.kryeministrit të Shqipërisë, Niko Peleshi, dhe ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, të pranishëm kanë qenë edhe zëvendësministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë, Turizmit dhe Sipërmarrjes, Ervin Mete, nënkryetarët e Bashkisë së Tiranës, Isuf Shehu dhe Brunilda Paskali, deputeti

Eventi është organizuar nga ACITAD dhe në partneritet me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë, Turizmit dhe Sipërmarrjes, Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Universitetin Epoka, Portalin Albeu.com dhe kompaninë Albartex.